Gazetari i njohur investigativ i RAI3, Sigfrido Ranucci, ka folur për herë të parë për mediat shqiptare, duke zbuluar detaje tronditëse mbi atentatin me eksploziv që iu bë pak ditë më parë në Romë. Në një intervistë për Euronews Albania, Ranucci tregoi se ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së enjtes, kur një sasi prej një kilogrami lëndë shpërthyese shpërtheu në automjetin e tij, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, por pa viktima.
“Ishte ora 10 e mbrëmjes kur shpërtheu eksplozivi. Përmbante një kilogram lëndë shpërthyese, e përgatitur nga ekspertë. Ishte vendosur në makinën time, që shpërtheu bashkë me atë të vajzës sime. Për fat të madh, ajo sapo ishte kthyer në shtëpi dhe nuk i ndodhi asgjë. Por fuqia e bombës mund të na kishte vrarë. Nuk e di ende pse u bë ky sulm, por mesazhi është i qartë: mund të të qëllojnë kudo dhe në çdo moment. Qëllimi është të na trembin ne gazetarët, por ky është një mision i pamundur,” – tha Ranucci.
Sipas mediave italiane, hetuesit dyshojnë se atentati është kryer nga persona që e kanë ndjekur gazetarin për disa ditë. Autorët kanë pritur në një zonë me pemë pranë banesës së tij në Pomezia, duke pritur që eskorta policore të largohej, për të aktivizuar manualisht tritolin të fshehur mes dy vazo lulesh jashtë shtëpisë.
Gazeta italiane Il Giornale shkruan se autoritetet janë në kërkim të një personi me kapuç, i cili është parë nga një dëshmitar duke u larguar me makinë menjëherë pas shpërthimit. Automjeti është tashmë identifikuar, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë, megjithëse më e afërta ndodhet rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes.
Sipas të njëjtave burime, bomba ishte ndërtuar në mënyrë artizanale, shumë e fuqishme, dhe pa mekanizma telekomandues apo kohëmatës, çka e bën ngjarjen edhe më misterioze. Shpërthimi ndodhi në orën 22:17, vetëm 20 minuta pasi vajza e gazetarit ishte kthyer në shtëpi, duke shmangur për pak një tragjedi.
“I prekur thellë nga ajo që ndodhi, Ranucci u shpreh: ‘Mund ta kishin vrarë vajzën time’.”
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në opinionin publik italian, veçanërisht pasi Ranucci është drejtues i emisionit investigativ “Report” në RAI3, i njohur për hetimet e tij ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe lidhjeve politike me botën e nëndheshme.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe motivet e sakta të atentatit, ndërsa gazetari mbetet nën mbrojtje të rreptë policore.