Është zbardhur dëshmia e plotë e kamarierit Alteo Pepa, në lokalin ku ndodhi vrasja e dyfishtë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Manëz të Durrësit. Ngjarja tragjike, që tronditi komunitetin, nisi për një arsye krejt të zakonshme — një filxhan kafeje.
Sipas dëshmisë së kamarierit, Daniel Pepa dhe viktima Aranit Kurti kishin mbërritur në lokal rreth orës 01:00-01:30 pas mesnate dhe kishin kërkuar kafe, por ekspresi ishte fikur. Kamarieri u kishte shpjeguar se nuk mund t’u shërbente në atë orë, gjë që ka shkaktuar acarim tek klientët.
“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1:30 dhe kërkuan kafe. U thashë që s’ka kafe, se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte patjetër, por i shpjegova që nuk bëhet në këtë orë. U acarua dhe në atë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah, dhe nisi debati mes tyre. Dolem te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit. Pas kësaj, Danieli mori armën dhe qëlloi mbi Florin, duke e lënë të vdekur”, – ka rrëfyer kamarieri Alteo Pepa.
Nga hetimet paraprake, rezulton se gjithçka ka nisur pas debatit verbal për kafenë, ndërsa situata është përshkallëzuar me shpejtësi në konflikt fizik dhe më pas në përdorimin e armëve.
Sipas policisë, Flori Paluçi qëlloi i pari me armë ndaj Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas kësaj, 21-vjeçari Daniel Pepa mori armën dhe qëlloi mbi Paluçin, i cili po ashtu mbeti i vdekur.
Kamarieri ka shpëtuar pa lëndime dhe nuk është prekur fizikisht gjatë përplasjes.
Policia ka shpallur në kërkim 21-vjeçarin Daniel Pepa, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po zhvillohen operacione intensive për kapjen e tij. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës, po punon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivet e sakta.
Nga verifikimet e deritanishme, rezulton se Flori Paluçi ka një të kaluar kriminale. Ai është arrestuar në vitin 2015 në Itali si pjesë e një bande të strukturuar grabitësish që vepronin në disa qytete italiane.
Grupi, i përbërë nga gjashtë shtetas italianë dhe Paluçi si i vetmi shqiptar, identifikohej për metodën e veçantë të grabitjeve — hapjen e vrimave në muret e bizneseve për të depërtuar brenda tyre. Hetimet ndaj bandës kishin nisur në verën e vitit 2014, pas dy grabitjeve të dhunshme të argjendarive në Ravenna dhe Alfonsine, ku brenda 20 ditëve autorët kishin arritur të merrnin sende me vlerë rreth 200 mijë euro.