29-vjeçarja shqiptare, nënë e 4 fëmijëve vritet nga bashkëshorti në Kanada/ Policia ekzekuton autorin

Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen ka tronditur qytetin e Brampton-it, në Kanada, ku një 29-vjeçare shqiptare, e identifikuar si Savannah Kulla, është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, 38 vjeç.

Sipas autoriteteve kanadeze, ngjarja ka ndodhur në një parking, ku çifti ishte përfshirë në një konflikt të ashpër. Në kulmin e debatit, Deschepper ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar bashkëshorten e tij, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas krimit, ai ka marrë një nga katër fëmijët e tyre të mitur dhe është përpjekur të largohet nga skena me automjetin e tij. Policia ka arritur ta lokalizojë menjëherë dhe, gjatë tentativës për ta arrestuar, Deschepper është qëlluar për vdekje nga forcat e rendit, pasi kishte hapur zjarr ndaj tyre.

Tragjedia ka tronditur komunitetin e Brampton-it, ku familja Kulla ishte e njohur. Autoritetet lokale kanë hapur një hetim të plotë për të zbardhur motivacionin e krimit, ndërsa fëmijët e çiftit janë marrë nën kujdesin e shërbimeve sociale.

Banorët e zonës kanë vendosur lule dhe qirinj në vendin e ngjarjes, në shenjë homazhi për 29-vjeçaren shqiptare, që la pas katër fëmijë të vegjël.