Emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar për herë të parë ekskluzivisht përgjimet në SkyEcc të Aurel Hoxhës, i cili nga bisedat e zbardhura rezulton të jetë porositësi i vrasjes së Klevis Lleshit në gusht të vitit 2020.
Nga komunikimet e siguruara, shihet se Hoxha ka qenë personi më aktiv në të gjitha bisedat që vijojnë edhe pas zhdukjes dhe gjetjes së trupit të Lleshit. Kolaveri, një nga emrat e përmendur në biseda, është vëllai i Agim Hoxhës – i vrarë dhe i gjetur i djegur në një makinë në Britaninë e Madhe në vitin 2013 nga Arben Lleshi, djali i xhaxhait të Klevis Lleshit.
Sipas emisionit “Në Shënjestër”, më 25 korrik 2020, Aurel Hoxha ka mbajtur kontakte në SkyEcc me një personazh të njohur të botës së krimit, Hektor Xheçukaj (i njohur si Tori Xheçukaj), të cilit i kërkon një shumë të madhe parash për t’ia dhënë kushëririt të tij, Saimir Kolaveri, që ndodhej në Gjermani.
“Vëlla a s’të dha gjë ai dibrani? Më duhet të plotësoj 50 mijë euro për atë të Sajmirit. 25 po ia marr njërit në Angli dhe 25 të na i kishte dhënë ky. Nuk na bie më ky rast. Jam gati të shes dhe gjakun dhe të mos e lej këtë punë për para”, – mësohet të ketë thënë Aurel Hoxha.
Nga bisedat kuptohet se Hoxha kishte marrë garanci për të “mbyllur një punë” dhe po kërkonte të nxitohej. Fillimisht ai nuk e sqaron për çfarë bëhej fjalë, por është e qartë se kërkesa për 50 mijë euro lidhej me realizimin e një vrasjeje.
Kjo “punë” duket se u konkretizua më 5 gusht 2020. Para kësaj date, Aurel Hoxha kishte marrë masa për t’u larguar nga Shqipëria, duke informuar përmes SkyEcc se ndodhej në Turqi – gjë që u konfirmua edhe nga sistemi TIMS.
Në datën 5 gusht, rreth orës 15:30, Hoxha merr lajmin që kishte pritur. Ai i dërgon një personi të paidentifikuar një foto ku shihet një trup i shtrirë në tokë, i mbuluar pjesërisht nga bimësia – trupi i dyshuar i Klevis Lleshit.
“Një gënjeshtar më pak vëlla. Janë tashmë katër nga e njëjta familje, dhe deri sa t’i vras të gjithë burrat e tyre, nuk do të ndalem.”
Vetëm një orë më pas, ai i dërgon të njëjtën foto një personi tjetër, duke shfaqur hapur entuziazmin për vrasjen:
“Ça bëre ti vëlla. Si kalove? E di që të bëhet qejfi, prandaj po ta çoj këtë foto. Deri tani shyqyr, mashallah. Unë të drejtën time po kërkoj. Zoti para dhe ne mbrapa…”
Në të njëjtën ditë, Hoxha komunikon me Tori Xheçukën, ku për herë të parë identifikon edhe viktimën.
“Iku dhe një vëlla. Hahaha. Djali i Xhavitit. Ti marr pushimet njëherë vëlla. Edhe vetë ika në Stamboll.”
Në këto biseda, Hoxha tregon edhe detajet e mënyrës si ishte kryer vrasja e Klevis Lleshit. Ai shpjegon se fillimisht kishin menduar ta vrisnin pranë pallatit të tij, por më pas kishin ndryshuar plan për të shmangur dekonspirimin.
“Nuk e bëra vetë. E bëri ai kushoja i Sajmirit. Se e patën lënë ta bëjmë te pallati, po u merrte vesh. Po ky e paska marrë në makinë dhe e paska mbaruar atë punë. Ai i vogli. Po ai Sabi.”
Sipas të dhënave të sistemit TIMS, Aurel Hoxha është kthyer në Shqipëri nga Turqia më 7 gusht, vetëm dy ditë pasi familja e Klevis Lleshit kishte raportuar zhdukjen e tij.
Edhe pas kësaj, bisedat e tij në SkyEcc tregojnë një gjendje euforike dhe mungesë pendese.
“Festë e gëzim paç gjithë jetën shok. Po e di se ty të bëhet qejfi, prandaj ta çova edhe atë kurvën. Ja u q.. rracën, ça kanë kërkuar kanë gjetur.”
Nga përmbajtja e komunikimeve, duket qartë se Aurel Hoxha kishte financuar dhe udhëhequr ekzekutimin e Klevis Lleshit si pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh mes familjeve Hoxha dhe Lleshi, që kanë zanafillën në ngjarjen e vitit 2013 në Britaninë e Madhe.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa përgjimet e SkyEcc pritet të jenë provë kyçe në dosjen që po përgatitet ndaj personave të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.