Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një vajzë 16-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës pas përndjekjes dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga ish-i dashuri i saj, aktualisht i arrestuar.
Sipas burimeve për BalkanWeb, vajza ka qenë më parë në një lidhje me Jetmir Llanajn, i cili ndodhet pas hekurave për rast gjobëvënieje. Marrëdhënia mes tyre ishte ndërprerë pas arrestimit të tij, por me kalimin e kohës, pas krijimit të një lidhjeje të re nga vajza, Llanaj nisi ta kërcënonte dhe përndiqte edhe nga burgu.
E mitura, e tronditur nga presioni dhe frika, ka tentuar vetëvrasje duke u dëmtuar me një mjet prerës. Fatmirësisht, ajo u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia bëjnë me dije se, gjatë marrjes në pyetje, vajza ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe në një moment humbi kontrollin, duke kafshuar një punonjëse policie që po asistonte në procedurë.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse ish-i dashuri ka ushtruar kërcënime apo presion ndaj saj nga qelia.
Jetmir Llanaj është një emër jo pak i lakuar për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2012, pas një sherri banal në Mamurras, Llanajt i vranë të birin 9-vjeç në një atentat.
Vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta akuzohen se i kanë dalë para makinës ku ndosheshin familjarët e Llanajt dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku. Ndërkohe më 19 korrik plumbat i morën jetën Mark Shkretës, 71 vjeç babait të vëllezërve Altin dhe Vladimir.
Vrasja u shënua në rrugën Hoxha Tahsim në Tiranë dhe policia akuzoi Jetmir si autorin e dyshuar.
Jetmir Llanaj u dënua me 25 vite burgim nga shkalla e parë, por Apeli e uli, ndërsa mësohet se për disa muaj ka kryer dënimin dhe ndodhej në liri kur u arrestua për gjobëvënie ndaj bizneseve.