Një pistë e re hetimore ka dalë në dritë në lidhje me atentatin ndaj gazetarit të njohur italian Sigfrido Ranucci, moderator i emisionit investigativ Report. Sipas të përditshmes italiane La Repubblica, hetuesit janë përqendruar tashmë te emri i një biznesmeni me origjinë shqiptare, Artur Shehu, 58 vjeç, i njohur nga disa hetime të mëparshme si një figurë me ndikim në krimin e organizuar shqiptar. Aktualisht, Shehu jeton në Miami, Florida, ku prej disa vitesh mban një profil të ulët.
Sipas burimeve hetimore, Drejtoria e Antimafias ka marrë informacione nga Vlora, që flasin për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin e ndodhur më 16 tetor, poshtë banesës së Ranuccit, në Romë. Deri më tani bëhet fjalë për një hipotezë hetimore, që kërkon ende prova përfundimtare, por që po ndiqet me kujdes nga Prokuroria Rajonale Antimafia e Romës.
Një nga motivet e mundshme që po shqyrtohet lidhet me një episod të Report, të transmetuar më 21 prill 2024, me titull “(Hot) Spot Albanese”, i cili trajtonte projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe mes qeverive të Italisë dhe Shqipërisë.
Në atë emision, emri i Artur Shehut përmendej disa herë, i lidhur me biznese dhe marrëdhënie që preknin qarqe politike dhe institucionale shqiptare. Shehu përshkruhej si një trafikant i rëndësishëm droge, i përfshirë në hetime ndërkombëtare për lidhje të supozuara me Cosa Nostra-n dhe Sacra Corona Unita-n.
Sipas hetimit gazetaresk, Shehu kishte dhuruar 30 mijë metra katrorë tokë pranë Vlorës për një fondacion të drejtuar nga gjenerali Fabrizio Lisi, ish-shef i Interpolit në Shqipëri. Ky operacion, sipas Report, ishte ndërmjetësuar nga avokati Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, një figurë kyçe në negociatat e marrëveshjes për emigrantët me Italinë.
Emri i Artur Shehut nuk është i panjohur as për median ndërkombëtare. Në mars të vitit 2021, gazeta amerikane Miami Herald i kishte kushtuar një artikull investigativ me titullin:
“Nga një vilë në Miami Beach, një njeri me lidhje të supozuara me mafien ndërton një perandori tregtare në Shqipëri.”
Artikulli përshkruante jetën luksoze të Shehut në SHBA, me një vilë në Alton Road, “vetëm pak hapa larg gjirit të Biscayne”, të rrethuar nga palma, me një kopsht të mirëmbajtur dhe makina luksoze të parkuara në hyrje.
Autoritetet italiane po verifikojnë aktualisht profilin ndërkombëtar të Shehut dhe po kërkojnë përputhje midis informacioneve të mbledhura në Shqipëri dhe lëvizjeve të tij në SHBA.
Megjithëse pistat për urdhëruesit e atentatit janë të shumta — duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve të ndjeshme që Report ka trajtuar ndër vite — vëmendja e hetuesve në këtë fazë është përqendruar kryesisht te disa grupe të mafies shqiptare.
Ndërkohë, karabinierët po vijojnë punën për të identifikuar personin që ka vendosur lëndën plasëse dhe individin që, sipas zbulimeve të fundit, verën e kaluar kishte tentuar të hynte në shtëpinë e dytë të gazetarit, por pa ia dalë.