Zbulohen detaje të reja për vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar në Itali — Hekuran Cumani u qëllua teksa mbronte të vëllanë

Hetimet për vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar Hekuran Cumani në Perugia po zbulojnë detaje të reja rreth ngjarjes së rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Itali. Sipas autoriteteve italiane, i riu humbi jetën duke u përpjekur të mbronte vëllain e tij më të vogël gjatë një përleshjeje mes dy grupeve të rinjsh në parkingun e Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike.

Ndihma mjekësore mbërriti menjëherë, por Hekurani ndërroi jetë në vend për shkak të plagëve të marra me thikë. Vëllai i tij u plagos lehtë, ndërsa dëshmitarët kanë dhënë versione të ndryshme, duke e bërë hetimin më kompleks.

Sipas burimeve hetimore, përplasja nisi pas një nate argëtimi në klubin “100dieci”. Policia italiane dyshon se shkaku ka qenë një konflikt banal, që më pas degjeneroi në dhunë.

Në kuadër të hetimeve, nën akuzë janë vënë disa persona, përfshirë një 18-vjeçar me origjinë marokene, i cili akuzohet për kërcënime të rënda dhe mbajtje të thikës, e cila dyshohet se u soll në vendngjarje nga e dashura e tij – tashmë edhe ajo nën hetim. Një tjetër i ri me origjinë tuniziane përballet me akuza të ngjashme.

Ndërkohë, një roje sigurie e klubit “100dieci” akuzohet për plagosje aksidentale, pasi gjatë përpjekjes për të ndarë grupet, ka lënduar vëllain e viktimës. Ai ka pranuar incidentin dhe ka deklaruar se kishte çarmatosur një të ri që mbante thikë, e cila më pas u hodh në një makinë.

Policia ka sekuestruar telefonat e të dyshuarve dhe po analizon komunikimet e tyre, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë nuk kanë ofruar ende prova të qarta. Hetimet vijojnë për të identifikuar autorin e goditjes fatale që i mori jetën Hekuran Cumanit.