Gerd Vaso flet për herë të parë për divorcin: “ Nada humbi Gerdin, unë gjatë rrugëtimit tim humba shumë gjëra”

I ftuar në podcastin e Grida Dumës, balerini i njohur Gerd Vaso foli për herë të parë hapur për marrëdhënien dhe ndarjen nga ish-bashkëshortja e tij, Enada Hoxha.

Pa pritur pyetjen e moderatores, Vaso nisi të flasë për ish-bashkëshorten, duke treguar se ajo ka qenë gjithmonë një person me disiplinë të jashtëzakonshme dhe me një mënyrë të rreptë të të jetuarit, që sipas tij ndikonte edhe në jetën e tyre familjare.

“Unë nuk kam marrë asnjëherë vendime, bija dakord me vendimet që merrte Enada,” u shpreh Gerd Vaso, duke shtuar se për të ruajtur qetësinë në marrëdhënie shpesh zgjidhte të mos kundërshtonte. Megjithatë, kjo qasje e përkryer dhe perfeksioniste e Enadës, sipas tij, me kalimin e kohës u kthye në një pengesë për raportin e tyre si çift dhe si partnerë në profesion.

“Është shumë e vështirë të punosh bashkë. Në fillim është e bukur, por më pas bëhet më e ndërlikuar,” tha balerini, duke theksuar se për Enadën, baleti ishte një dashuri ekstreme, ndërsa ai vetë kishte një kufi mes profesionit dhe jetës personale: “Për mua kishte një lloj kufiri, deri këtu mundem. Nuk mundem të punoj me orare që nuk më japin më kënaqësi.”

Në pjesën më emocionale të intervistës, Gerd Vaso foli për periudhën pas ndarjes, duke pranuar se divorci nuk kishte qenë vendimi i tij dhe se ajo periudhë e kishte ndryshuar thellësisht.

“Në fund të fundit, nëse Nada humbi Gerdin, unë gjatë rrugëtimit tim humba shumë gjëra – personalitetin, dinjitetin, karakterin tim. Dola nga vetja për dashurinë, dola nga vetja për profesionin, për karrierën,” tha ai me emocion.

Deklaratat e Gerdit kanë ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, pasi është hera e parë që balerini ndan publikisht anën e tij të historisë me Enada Hoxhën, një nga çiftet më të njohur të skenës shqiptare të baletit.