Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Klos–Burrel, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Aksidenti është pikasur nga drejtues të tjerë mjetesh që po udhëtonin në të njëjtin segment, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet përkatëse, të cilat kanë transportuar në spital dy vajzat që ndodheshin në automjet. Fatmirësisht, të dyja ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas Policisë së Matit, paraprakisht dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga humbja e kontrollit të drejtueses së mjetit, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e shpejtësisë së lartë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.