Zelensky negocion me Trump/ Ofron dronë për raketat Tomahawk. Presidenti amerikan tërhiqet në prag të takimit me Putin

Vetëm pak ditë pasi la të kuptohej publikisht se SHBA mund të dërgonte raketat Tomahawk në Ukrainë, Presidenti Donald Trump u tërhoq nga ideja gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky ditën e sotme.

Në një takim të zhvilluar të premten në Dhomen e Kabinetit, dhe jo në Zyrën Ovale si vizitat e mëparshme, Trump shprehu rezervat e tij për dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, duke përmendur shqetësimin për uljen e rezervave ushtarake amerikane.

“Do të donim më mirë të mos na duheshin Tomahawk-ët. Do të donim më mirë që kjo luftë të mbaronte,” – u shpreh Trump përballë Zelenskyt, teksa pritet që presidenti amerikan të takohet me Vladimir Putin në Hungari në javët në vazhdim. “Kjo mund të sjellë një përshkallëzim të madh. Mund të ndodhin shumë gjëra të këqija.”

Zelensky, i cili shpresonte të merrte mbështetje të plotë ushtarake pas suksesit të Trump në arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, i ofroi SHBA-ve bashkëpunim në prodhimin e dronëve të armatosur, nëse merrnin raketat amerikane në këmbim.

“Mund të punojmë së bashku dhe të forcojmë prodhimin amerikan,” tha Zelensky.

Trump, megjithëse vlerësoi cilësinë e prodhimeve ushtarake të Ukrainës, la të kuptohej se nuk ishte gati të autorizonte përdorimin e raketave amerikane që mund të godasin objektiva në brendësi të Rusisë.

Tërheqja e Trump nga premtimi për raketat Tomahawk ndodhi pas një telefonate dy orëshe me Presidentin rus Vladimir Putin mbrëmjen e së enjtes. Gjatë bisedës, Trump i kishte përmendur me ironi Putinit idenë e dërgimit të raketave në Ukrainë:

“I thashë: ‘Do ta kishe problem nëse i jepja opozitës tënde disa mijëra Tomahawk?’ E thashë pikërisht ashtu. Atij nuk i pëlqeu. Por ndonjëherë duhet edhe pak humor,” – tha Trump.

Ndryshe nga takimet e mëparshme, ku shkëndijat politike kishin qenë të pranishme – përfshirë një përplasje në Zyrën Ovale në shkurt me zëvendëspresidentin J.D. Vance – ky takim ishte më i qetë. Trump e përshkroi Zelenskyn si “një lider të fortë” dhe shtoi: “Ne kemi ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë”.

Megjithatë, simbolika ishte e qartë: takimi u zhvillua në një ambient më pak formal, pa deklaratë të përbashkët dhe pa konferencë shtypi të plotë.