Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur dy mjekë gjinekologë të maternitetit “Koço Gliozheni”, pasi akuzohen se, për shkak të veprimeve të pakujdesshme, kanë shkaktuar vdekjen e një foshnjeje gjatë lindjes.
Sipas njoftimit zyrtar, në prangat e akuzës kanë rënë mjekët Ervis Vata dhe Aida Hoxha, të cilët do të përballen me drejtësinë për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.Z., e cila humbi foshnjën e saj gjatë procesit të lindjes në vitin 2021. Nga aktet e ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se vdekja e së porsalindurës erdhi si pasojë e dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit — mjet që përdoret në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon.
Sipas ekspertizës, dëmtimet në kokë që çuan në shok traumatik hemorragjik nuk ishin pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rezultat i mosndërhyrjes në kohë nga mjekët, të cilët kishin planifikuar paraprakisht që lindja të kryhej me ndërhyrje cezariane, por nuk e realizuan këtë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet:
“Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatzënisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, ka qenë faktori vendimtar që çoi në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur.”
Tashmë, dosja ndaj dy mjekëve i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, për shqyrtim.