Panik në Don Bosko/ Merr flakë kati i parë i hotelit, evakuohen klientët

Mbrëmjen e kësaj të premteje, kati i parë i një hoteli në zonën e “Don Boskos” në Tiranë është përfshirë nga flakët. Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur si pasojë e një defekti elektrik në pjesën e lavanderisë së objektit.

Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë dhe zjarrfikëses kanë mbërritur në vendngjarje. Personat që ndodheshin në hotel janë evakuuar në kohë, ndërsa shërbimet zjarrfikëse arritën të vënë zjarrin nën kontroll, duke shmangur përhapjen e flakëve në katet e tjera të ndërtesës.

Policia njofton:

“Rreth orës 20:50, në rrugën ‘Don Bosko’, dyshohet se si pasojë e një defekti elektrik në pjesën e lavanderisë, ka rënë zjarr në katin e parë të një hoteli.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë evakuar personat që ndodheshin brenda hotelit, si dhe shërbimet zjarrfikëse, që bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale ende nuk janë përcaktuar.