Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes që përfshin ish-drejtorin e Policisë Rrugore, Roven Zeka, së bashku me katër të pandehur të tjerë, të akuzuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv të punonjësve të organeve të drejtësisë.
Të pandehur në këtë çështje janë edhe Sokol Novaku, Edison Tabaku, si dhe shtetasit Ergest Vrioni dhe Bledi Belba. Çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në seancë paraprake me gjyqtare Irena Gjoka.
Hetimet e SPAK zbuluan se ngjarja ka nisur më 16 prill 2025, pas një aksidenti rrugor në Tiranë ku u përfshinë dy automjete. Në njërin prej mjeteve ndodhej Anisa Vrioni, ndërsa në tjetrin Andri Koçi, me pasagjerë që u transportuan për ndihmë mjekësore në spital.
Anisa Vrioni u shoqërua për pak orë në Komisariatin nr. 3, por u la e lirë. Nga hetimet u zbulua se bashkëshorti i saj, Ergest Vrioni, kishte ndërhyrë për të shmangur arrestimin e saj. Ai dyshohet se i ka dhënë 200 mijë lekë oficerit të hetimit të aksidenteve Edison Tabaku, i cili kishte njohje të mëparshme me të. Tabaku ka vepruar në bashkëpunim me dy eprorët e tij, Zeka dhe Novaku, për të mbyllur rastin në mënyrë të favorshme.
Gjithashtu, Bledi Belba ka ndërhyrë duke dorëzuar 1000 euro tek Zeka në ndihmë të Ergest Vrionit, për të shmangur arrestimin e bashkëshortes së këtij të fundit.
Roven Zeka u vendos në arrest shtëpie më 14 korrik 2025, pas një dëmtimi në legen gjatë qëndrimit në paraburgim. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë pas një ekspertize mjekësore që konfirmoi gjendjen e rënduar shëndetësore.
Në njoftimin e saj, SPAK nënvizon se të pandehurit do të përballen me akuza për:
Korrupsion pasiv i funksionarëve të drejtësisë – neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal (Zeka, Novaku, Tabaku)
Korrupsion aktiv i funksionarëve të drejtësisë – neni 319 dhe 25 i Kodit Penal (Vrioni, Belba)
Dosja tashmë ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ku në seancën paraprake do të shqyrtohet vlefshmëria e akuzave dhe provave të paraqitura nga SPAK. Rasti konsiderohet një tjetër sinjal për përpjekjet e drejtësisë për të luftuar korrupsionin në radhët e uniformave blu.