Aldo alias Elidon Avdyli, 37-vjeçari nga Shijaku, një emër i njohur për policinë dhe botën e krimit, është arrestuar në Tiranë pas një operacioni të koduar të policisë dhe RENEA-s. Sipas gazetarit Elton Qyno, ai u kap në një apartament pranë zonës së “Liqenit të Thatë”, i marrë me qira nga Dorjan Sherifi, ku dyshohet se po përgatiste një tjetër atentat.
Sipas burimeve policore, Avdyli kishte ngritur një bazë në zonë për të siguruar kushtet e kryerjes së një vrasjeje, ndërsa kishte rënë në gjurmët e policisë pas një kërcënimi telefonik ndaj nën/drejtorit të Policisë së Durrësit, Bujar Deliallisi. Kërcënimi ndodhi pasi SPAK kishte lëshuar ndaj tij masën e dytë “arrest me burg”, pas një akuze të mëparshme në vitin 2024 për “sigurim të kushteve për vrasje” ndaj Durim Bamit.
Për kapjen e tij, policia përdori pajisjen izraelite përgjuese “IMSI Catcher”, që çoi në lokalizimin e saktë të vendndodhjes. Operacioni u zhvillua pa rezistencë, ndërsa Avdyli u dorëzua i armatosur.
Në pyetjen e oficerëve, ai mohoi përfshirjen në vrasjen e Bujar Nasufit (21 janar 2025) dhe atë të Iljaz Çalit (3 prill 2022), duke deklaruar se i kishte parë vetëm “në televizor”. Policia i mori një kampion ADN-je për krahasim me prova të gjetura në disa vendngjarje kriminale.
Pas marrjes në pyetje, Avdyli është dërguar në paraburgim nën dy masat “arrest me burg” të vendosura nga Gjykata e Posaçme (SPAK).