Mjeti i parkuar në korsinë e emergjencës, gjendet i vdekur një burrë në Vlorë

Një ngjarje e rëndë është zbuluar këtë të enjte në autostradën Fier–Vlorë, pranë fshatit Bishan, ku një burrë është gjetur i vdekur brenda një automjeti të parkuar në xhepin e emergjencës.

Viktima është identifikuar si Rafael Pasha, banues në fshatin Starovë të Beratit. Sipas të dhënave paraprake, 36-vjeçari dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale, ndërsa trupi i tij është gjetur i shtrirë në sediljen e përparme të makinës.

Policia ka bërë publik njoftimin zyrtar për ngjarjen:

“Sot, më datë 16.10.2025, në autostradën Fier–Vlorë, pranë fshatit Bishan, është gjetur i ndaluar në xhepin e emergjencës automjeti i markës Volkswagen me targa AB276DC, me një shtetas të seksit mashkull të shtrirë në sediljen e përparme.

Nga informacionet e para, ky shtetas dyshohet të ketë ndërruar jetë nga shkaqe natyrale.

Gjeneralitetet: Rafael Pasha, me banim në fshatin Starovë, Berat.”

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së 36-vjeçarit.

Burime paraprake bëjnë me dije se i riu vuante nga epilepsia.