Është zbardhur dosja hetimore për ngjarjen tragjike të ndodhur në shtator të vitit 2023, ku humbi jetën 3-vjeçari Brian Spahiu, pas një ndërhyrjeje dentare në klinikën private “Splendent” në kryeqytet.
Hetimet e Prokurorisë zbulojnë një sërë shkeljesh të rënda mjekësore dhe procedurale nga ana e stafit mjekësor, përfshirë stomatologen Ina Xhaxho dhe të atin, mjekun anestezist Roland Xhaxho. Në dokumentet e siguruara nga gazetarja Anila Hoxha për Top Channel, tregohet se ndërhyrja që u prezantua fillimisht si një rregullim i dy dhëmbëve, përfundoi me trajtim në plot 14 dhëmbë, pa bërë më parë asnjë grafi apo ekzaminim paraprak të plotë.
Prindërit e të miturit, Bledar dhe Ina Spahiu, kanë deklaruar se gjatë konsultës paraprake u ishte thënë se do ndërhyhej vetëm në dy dhëmbë dhe se për shkak të moshës së vogël të fëmijës, do përdorej anestezi e lehtë, “e sigurt dhe e përdorur gjerësisht në botë”.
Megjithatë, gjatë ndërhyrjes dentare që zgjati disa orë, fëmijës iu trajtuan 14 dhëmbë. Prindërit pretendojnë se nuk ishin njoftuar më parë për këtë ndryshim dhe se vendimi ishte marrë pa miratimin e tyre.
Sipas dosjes, pas përfundimit të ndërhyrjes, fëmija u mbajt për orë të tëra në klinikë në një gjendje të rëndë. Pavarësisht insistimeve të familjarëve për të parë djalin, ata u lejuan vetëm pas orës 18:00 të futeshin në dhomën ku ndodhej i mituri. Brian kishte duar, këmbë dhe hundë të ftohta, nuk reagonte, merrte frymë me vështirësi dhe kishte sytë mbyllur.
Stafi mjekësor, përfshirë mjekun Roland Xhaxho dhe infermieret, u tha prindërve se kjo ishte “gjendje normale pas anestezisë” dhe se fëmija do zgjohej me kalimin e kohës. Prindërit e dërguan fëmijën në shtëpi, por gjendja u përkeqësua. Rreth orës 23:00, ata e çuan në Spitalin Pediatrik të QSUT, ku mjekët konstatuan se ishte në gjendje kome. Pak orë më pas, 3-vjeçari humbi jetën.
Një tjetër detaj tronditës që del nga hetimet është përpjekja për shmangie përgjegjësie. Prindërit pretendojnë se kontaktet i kishin vetëm me stomatologen Ina Xhaxho dhe babain e saj, mjekun Roland Xhaxho. Megjithatë, në një paraqitje pranë Urdhrit të Stomatologut, në vend të Inës, është dërguar një tjetër mjeke, Marta Gina, e cila ka deklaruar se kishte kryer ajo ndërhyrjen dhe se nuk kishte qenë e nevojshme bërja e grafisë për dhëmbët.
Familja Spahiu ka deklaruar se këtë mjeke nuk e njihnin dhe nuk e kishin parë kurrë më parë, duke shtuar dyshimet për manipulim dhe mbulim të së vërtetës.
Në dosje theksohet gjithashtu se familjarëve iu kërkua të paguanin fillimisht 300 euro për anestezinë dhe më pas 70.000 lekë për ndërhyrjen në 14 dhëmbë, si dhe 330.000 lekë të tjera për “anestezinë shtesë”. Asnjë dokument zyrtar apo kupon tatimor nuk është lëshuar për këto pagesa.
Autopsia e kryer më pas ka konfirmuar ndërlikime të rënda pas anestezisë. Megjithatë, Prokuroria po vijon hetimet për të përcaktuar nëse vdekja ka ardhur si pasojë e gabimit profesional, neglizhencës, apo trajtimit të pakujdesshëm gjatë procedurës dentare.
Rasti ka shkaktuar indinjatë të thellë në opinionin publik dhe është cilësuar si një tragjedi që mund të ishte shmangur nëse do ishin ndjekur protokollet mjekësore bazë. Ndaj mjekëve Xhaxho pritet të merren masa nga organet ligjore dhe ato të rendit mjekësor.