Skandal në shtëpinë e Schumacher/ Piloti australian përdhunon infermieren e legjendës së Formula 1

GLAND, SWITZERLAND - JUNE 21: The 'Villa La Reserve', house of Formula One Champion Michael Schumacher, pictured on June 21, 2014 in Gland, Switzerland. (Photo by Harold Cunningham/Getty Images)

Një pilot garash australian, i cili thuhet se është mik i Mick, djalit të legjendës së Formula 1 Michael Schumacher, është akuzuar për përdhunimin e një infermiereje në shtëpinë e familjes Schumacher në Gland, Zvicër.

Sipas Prokurorisë zvicerane dhe raportimeve nga media lokale 24 Heures, ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur më 23 nëntor 2019, pas një mbrëmjeje të shoqëruar me konsum të alkoolit. Viktima është një infermiere në të tridhjetat, pjesë e ekipit mjekësor që kujdeset për Michael Schumacher që nga aksidenti i rëndë në ski në vitin 2013.

Piloti akuzohet se e ka përdhunuar dy herë infermieren teksa ajo ishte pa ndjenja.

Gruaja ka ngritur padi penale në janar të vitit 2022 dhe hetimet kanë qenë në zhvillim që prej asaj kohe.

Sipas burimeve pranë hetimit, asnjë anëtar i familjes Schumacher nuk ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes, dhe ata nuk janë të përfshirë apo të implikuar në asnjë mënyrë në këtë çështje penale.

Rasti ka ngjallur tronditje në opinionin publik, veçanërisht për faktin se krimi i dyshuar ka ndodhur në shtëpinë e një prej figurave më të njohura të sportit botëror, e cila prej vitesh është kthyer në një qendër të mbyllur kujdesi për ish-kampionin e Formula 1.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa identiteti i të akuzuarit nuk është bërë ende publik për shkak të ligjeve zvicerane për privatësinë.