I shkoi në zyrë për ta vrarë/ Arrestohet 61-vjeçari në Tiranë pasi kërcënoi kreun e IMT-së

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Tiranë, ku 61-vjeçari Leonard Nikolli është shoqëruar në Komisariatin nr. 3, pasi ka kërcënuar me jetë drejtuesin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Tiranë, Klajdi Meçi.

Sipas burimeve nga policia, Nikolli është paraqitur në ambientet e institucionit dhe ka shpërthyer në kërcënime të rënda sapo ka hyrë në zyrë, duke thënë: “Jam i armatosur, ku është drejtori se do e vras?!”. Ai madje ka shtuar se do të vepronte “njësoj si me gjyqtarin Astrit Kalaja”, duke iu referuar ngjarjes së rëndë ku gjyqtari u vra në sallën e gjyqit disa ditë më parë.

Drejtori i IMT-së, Klajdi Meçi, ka bërë menjëherë kallëzim në polici, duke deklaruar se është ndier i kërcënuar seriozisht për jetën e tij. Nga hetimet paraprake mësohet se shkak për shpërthimin e dhunshëm të Nikollit ka qenë një objekt ndërtimi, për të cilin ai pretendonte se duhet të prishej, por që IMT nuk kishte ndërhyrë për shkak të një vendimi gjykate që e ndalonte prishjen.

Aktualisht, Leonard Nikolli ndodhet nën shoqërimin e policisë dhe pritet të arrestohet për kërcënim për vrasje ndaj një zyrtari publik. Grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse 61-vjeçari ishte realisht i armatosur në momentin e incidentit.