Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza të forta ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar se është njëkohësisht i punësuar në një rrjet klinikash private dhe se ka përfituar të ardhura jashtë funksionit të tij kushtetues.
“Sipas deklaratave të pasurisë, presidenti, ndërkohë që ushtron detyrën e kreut të shtetit, rezulton i punësuar dhe paguhet nga rrjeti i klinikave private ‘Acibadem’. Ditën është president, ndërsa pasdite merr 200 euro për konsultë në klinikë. Nuk ka ndodhur më parë me asnjë president. Ky është paradite president dhe pasdite mjek,” – deklaroi Bardhi.
Sipas tij, përveç punësimit në sektorin privat, Presidenti Begaj rezulton se jep edhe mësim pranë Akademisë së Forcave të Armatosura. “Në vitet 2022, 2023 dhe 2024, ai ka deklaruar të ardhura nga kjo kompani private. Shkon jep mësim, se ku ka lek, do gjeni Bajram Begajn,” – shtoi ai me tone ironike.
Bardhi bëri të ditur se opozita ka dorëzuar një kërkesë për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, duke e akuzuar për shtatë shkelje të rënda të Kushtetutës. Sipas tij, shkelja më flagrante lidhet me dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës.
“Presidenti ka konsumuar shtatë shkelje kushtetuese të rënda dhe të përsëritura. Ai ka dekretuar në mënyrë antikushtetuese zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, duke ndërhyrë brutalisht në kompetencat e pushtetit vendor. Në 35 vite demokraci, s’ka ndodhur që një president të marrë kompetencat e gjyqësorit dhe të fusë vendin në ngërç kushtetues,” – deklaroi Bardhi.
Sipas tij, me veprimet e fundit, Presidenti Begaj ka “zhveshur nga autoriteti” Gjykatën Kushtetuese dhe ka shkaktuar konfuzion tek zgjedhësit, duke cenuar rendin kushtetues të vendit.