Pas muajsh të tërë hetimesh intensive dhe një procesi gjyqësor që ka tërhequr vëmendjen e mediave në Australi dhe më gjerë, Belina Pupa është shpallur zyrtarisht e pafajshme nga Gjykata e Magjistraturës në Adelaide, lidhur me akuzat për kultivim të lëndëve narkotike.
Ajo ishte përballur me akuza serioze, pasi autoritetet kishin zbuluar 43 bimë kanabisi në një pronë të regjistruar në emrin e saj. Por, gjykata vendosi rrëzimin e të gjitha akuzave, duke e liruar atë plotësisht nga çdo përgjegjësi penale.
Në vendimin e saj, gjykata vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Pupa kishte dijeni apo ishte e përfshirë në aktivitetin e paligjshëm që po zhvillohej në pronën në fjalë. Argumenti kryesor i pranuar nga trupa gjykuese ishte se posedimi formal i një prone nuk mjafton për të ngarkuar pronarin me përgjegjësi ligjore, nëse veprimtaria kriminale është kryer nga persona të tjerë pa dijeninë apo pëlqimin e tij.
Ky vendim shënon fundin e një periudhe sfiduese për psikologen Belina Pupa dhe bashkëshortin e saj, aktorin Vis Pupa, të cilët kanë qenë në qendër të vëmendjes mediatike për muaj të tërë.
Avokatët e Pupës shprehën kënaqësinë për drejtësinë e vonuar, por të dhënë, ndërsa familjarët thanë se tashmë do të përpiqen të rikthejnë normalitetin në jetën e tyre pas kësaj situate të vështirë.
Vendimi është mirëpritur edhe nga komuniteti shqiptar në Australi, ku çifti gëzon mbështetje të gjerë.