Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, pasi tre karabinierë humbën jetën dhe 16 persona të tjerë – përfshirë ushtarë dhe oficerë policie – mbetën të plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në një banesë dykatëshe në Castel D’Azzano, provincën e Veronës.
Sipas “Corriere della Sera”, policia kishte mbërritur në vendngjarje për të evakuar banesën ku ndodheshin tre familjarë, dy vëllezërit dhe motra e tyre, kur ndodhi shpërthimi fatal. Hetimet paraprake tregojnë se shtëpia ishte e mbushur me gaz, dhe momenti i shpërthimit ndodhi sapo u hap dera e përparme, duke shembur të gjithë ndërtesën dhe zënë nën rrënoja forcat e sigurisë.
Tre karabinierët humbën jetën në vend, ndërsa 16 efektivë të tjerë u dërguan me urgjencë në spital, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Në rrënoja u gjetën dy nga banorët e shtëpisë, Dino dhe Maria Luisa Ramponi, të cilët u plagosën rëndë dhe u arrestuan menjëherë. Vëllai i tyre, Franco, arriti të largohej fillimisht, por u arrestua në mëngjes pas një kërkimi intensiv.
Kryeprokurori i Veronës, Raffaele Tito, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi të pabesueshme”, duke theksuar se forcat e rendit kishin vepruar me kujdes dhe me të gjitha pajisjet e nevojshme sigurie. “Rezultati ishte i papritur dhe shumë i dhimbshëm. U gjendëm përballë një skene apokaliptike”, deklaroi ai, duke konfirmuar se tre vëllezërit janë arrestuar për vrasje me paramendim.
Hetimet kanë zbuluar se kjo nuk ishte hera e parë që familjarët përpiqeshin të parandalonin dëbimin nga banesa e tyre në mënyrë të rrezikshme. Në tetor të vitit 2024, ata kishin mbushur dhomat me gaz për të ndalur procesin e evakuimit, por atëherë policia arriti të shmangte tragjedinë. Madje, një prej tyre kishte kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes, duke u lyer me benzinë.
Këtë herë, megjithatë, veprimi i tyre rezultoi fatal – jo vetëm për ta, por për tre efektivët e karabinierisë që humbën jetën në krye të detyrës.