Gjykata dënon mjekun kirurg Dervish Hasi/ Nga “pornografia”, dënohet për “dhunë në familje”. Mori 16-vjeçaren si grua të katërt

 

Mjeku kirurg Dervish Hasi, i cili u arrestua pak kohë më parë pasi akuzohej për shfrytëzim prostitucioni me të mitur, është dënuar me 15 muaj burg nga Gjykata, por për një vepër tjetër penale. Sipas vendimit, gjykata ka bërë rikualifikimin e akuzës nga “pornografi” në “dhunë në familje”.

42-vjeçari nga Tirana ra në pranga pas hetimeve që zbuluan se kishte pasur marrëdhënie me një vajzë të mitur, e cila e kishte frekuentuar banesën e tij për rreth dy vite, duke qëndruar aty disa ditë në javë. Mësohet se 16-vjeçarja trajtohej si gruaja e tij e katërt.

Vajza pohon se është njohur me mjekun në moshën 14-vjeçare dhe pasi kanë komunikuar kanë filluar ta pëlqejnë njëri-tjetrin. Ajo shton se është martuar me mjekun nga një hoxhë sipas një dokumenti të quajtur “nikah”.

Sipas dëshmisë, vajza ka thënë se ka kryer marrëdhënie me konsensus pasi mbushi 16 vjeçe.

Në hetim u zbulua gjithashtu se mjeku kishte pasur tre partnere të tjera dhe se kryente marrëdhënie seksuale në grup, ndërsa regjistronte video intime që më pas i shpërndante në një grup të përbashkët “chat”. Gjatë kontrollit të celularit të tij, policia gjeti materiale eksplicite dhe komunikime që përfshinin pesë persona.

Gjatë deklarimeve para hetuesve, Hasi është shprehur se është “besimtar”, ndërsa ka mohuar se ka shfrytëzuar vajzën e mitur. Pavarësisht akuzave fillestare për “pornografi” dhe “shfrytëzim prostitucioni me të mitur”, gjykata vendosi dënimin me 15 muaj burg për veprën penale të “dhunës në familje”.