Ekzekutimi i shqiptarit dhe grekut në kamping/ Vetëdorëzohet i riu: Pronari i kampingut abuzoi me mua

Një 22-vjeçar është dorëzuar në polici mëngjesin e sotëm si bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë që tronditi kampingun e Finikoundës më 5 tetor. I shoqëruar nga avokati i tij, i riu u paraqit në komisariat dhe ka deklaruar se ishte pasagjer në motoçikletën me të cilën u largua autori i dyshuar pas krimit.

Fillimisht u raportua se 22-vjeçari ishte i afërm i pronarit të vrarë, por hetimet kanë sqaruar se ai nuk kishte lidhje familjare me viktimën. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pohuar se pronari grek i kampingut e kishte abuzuar seksualisht gjatë një vizite në verën e vitit 2022.

Ndërkohë, autori i dyshuar i vrasjes, i cili kishte mbuluar fytyrën dhe hyri me armë në recepsionin e kampingut, vijon të jetë në arrati. Policia ka hartuar itinerarin e mundshëm të largimit të tij nga Finikounda në drejtim të Athinës, por pavarësisht ndjekjes së dhjetëra pikave të kontrollit, ai nuk është kapur ende.

Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë pasur ndihmë nga persona të tretë për t’u fshehur.

Si ndodhi ngjarja tragjike

Krimi ndodhi më 5 tetor në orët e mbrëmjes, kur autori hyri me dhunë në recepsionin e kampingut ku ndodheshin pronari 68-vjeçar, kujdestari i tij 60-vjeçar shqiptar dhe një mik tjetër. Ai qëlloi për vdekje fillimisht pronarin grek dhe më pas shqiptarin që tentoi të largohej. Nipi i pronarit ndodhej gjithashtu në vendngjarje, por arriti të shpëtojë.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik grek, ndërsa hetimet vijojnë për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të motivit të vrasjes.