Eni Çobani flet për çështjen e familjes Shkambi: “160 milionë lekë të nxjerra nga xhepi dhe 33 vite gjyqe… Çfarë drejtësie kemi ndërtuar?”

Një histori 33-vjeçare për pronësinë e një godine në Shkodër ka përfunduar tragjikisht më 6 tetor 2025, kur i riu Elvis Shkambi qëlloi me armë gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, pas një vendimi që shkoi kundër familjes së tij.

Juristja Eni Çobani, në emisionin “E Diela Shqiptare”, zbardhi detaje të historisë së gjatë e të ngatërruar të familjes Shkambi, e cila prej vitit 1992 lufton për të marrë në dorëzim një pronë që, sipas saj, u fitua me vendim gjykate në vitin 1994.

Nga vendimi i parë, te pengesat e njëpasnjëshme

Sipas Çobanit, stërgjyshi i Elvisit, Binak Shkambi, u njoh si pronar i ligjshëm i godinës së njohur si “Shkolla e Rezervave” në Shkodër, me një vendim gjykate të vitit 1994. Më pas, komisioni i kthimit të pronave i njohu familjes 18 mijë metra katrorë nga një sipërfaqe totale prej 66 mijë metrash.

Në vitet që pasuan, familja Shkambi fitoi disa vendime gjyqësore, përfshirë edhe të drejtën për blerjen përfundimtare të godinës. Në vitin 2012, Gjon Shkambi bleu objektin në mënyrë të ligjshme për 160 milionë lekë të vjetra, në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bashkisë Shkodër.

Banesat, qiramarrësit dhe zvarritjet institucionale

Pavarësisht pronësisë së fituar dhe pagesës së kryer, godinat vazhdojnë të jenë të zëna nga familje që dikur kishin kontrata qiraje njëvjeçare. Sipas Çobanit, këto kontrata nuk janë rinovuar, por banorët nuk janë larguar, duke e kthyer godinën në një objekt të bllokuar.

Ajo ngriti pyetjen nëse Bashkia e Shkodrës vazhdon të mbledhë qira nga këta banorë dhe kërkoi sqarime mbi ligjshmërinë e qëndrimit të tyre në objekt.

Dokumentet e zhdukura dhe një drejtësi e penguar

Një tjetër fakt shqetësues është zhdukja e dokumenteve origjinale. Sipas Çobanit, kërkimet në Arkivin Qendror të Shtetit nuk kanë dhënë asnjë rezultat për ekzistencën e emrit Binak Shkambi apo të vendimeve të hershme, çka ka ngritur dyshime për zhdukje apo djegie të qëllimshme të dokumentacionit.

Ndërkohë, në vitin 2021, një tjetër gjyq i lidhur me këtë pronë u gjykua nga Astrit Kalaja, i cili e rrëzoi kërkesën e Pal Shkambit, kushëririt të Gjonit, për njohjen e pronësisë mbi të gjithë sipërfaqen.

Vendimi i fundit i marrë nga Kalaja në 2025, i cili e riktheu çështjen për rigjykim, u bë pika e shpërthimit për Elvisit, i cili kreu një akt të rëndë duke vrarë gjyqtarin në sallën e gjyqit.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është një histori që kërkon përgjigje”

Çobani tha se i vjen keq për aktin ekstrem të ndërmarrë nga një djalë i ri, por theksoi se ky është një nga ato rastet ku drejtësia nuk është vënë asnjëherë në vend.

“Kur një familje kalon dekada nëpër gjyqe, harxhon miliona për të blerë një pronë që i takon me vendim gjykate, dhe sot nuk ekzistojnë më dokumentet… atëherë çfarë drejtësie kemi ndërtuar?”, u shpreh ajo.