Gazetari i njohur sportiv Dritan Shakohoxha ka përjetuar një tjetër incident të pakëndshëm në Serbi, njëmbëdhjetë vjet pas ngjarjes famëkeqe të vitit 2014 në Beograd. Këtë herë, ndalimi ka ndodhur në aeroportin e kryeqytetit serb, ku Shakohoxha dhe disa gazetarë të tjerë shqiptarë janë mbajtur për rreth tre orë nga autoritetet vendase pa marrë asnjë shpjegim zyrtar.
I kontaktuar nga Top Channel, Shakohoxha ka treguar se pasaportat iu morën menjëherë sapo zbritën në aeroport dhe se u pyetën në mënyrë të përsëritur për arsyet e udhëtimit të tyre në Beograd. Ai përmendi emrat e kolegëve të tjerë si Arlind Sadiku, Marin Mema dhe disa gazetarë të tjerë shqiptarë, të cilët, sipas tij, ishin në një “listë të çuditshme”.
“Ishte sërish një situatë absurde. Më morën pasaportën mua dhe disa kolegëve të tjerë nga Shqipëria dhe nuk na jepnin asnjë shpjegim. Më pas pashë emrin tim, të Arlind Sadikut, Marin Memës dhe disa gazetarëve të tjerë nga Shqipëria që ishin aty dhe na kishin futur në një lloj liste të çuditshme. Na pyesnin vazhdimisht se ‘Për çfarë kishim shkuar në Beograd?’. Largoheshin. Vinin prapë: pyesnin, iknin prapë. Një marrëzi e pafund. Deri sa në fund na lejuan të largoheshim,” u shpreh ai.
Gazetari theksoi se do të jetë i pranishëm nesër në stadium për të ndjekur ndeshjen e kombëtares shqiptare, nëse, siç u shpreh ai, “serbët nuk bëjnë sërish çmenduri ndaj gazetarëve shqiptarë.”
Ky episod shton edhe më tej tensionet dhe shqetësimet për trajtimin e qytetarëve shqiptarë në Serbi, veçanërisht në kontekstin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, ku kujtimet e përplasjeve të së kaluarës janë ende të freskëta.