Goditi me grusht punonjësin e gjykatës/ Arrestohet avokati i Monika Kryemadhit

Një incident është regjistruar ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë, ku avokati Redi Llanaj, përfaqësues ligjor i Monika Kryemadhit, është arrestuar nga policia pas një përplasjeje fizike.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Vlorës, Specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë avokatin, pasi ai ka goditur me grusht në fytyrë një punonjës sigurie të gjykatës, shtetasin F. M., 60 vjeç. Si pasojë e goditjes, i dëmtuari ka pësuar lëndime në fytyrë dhe është dërguar për mjekim.

Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të gjykatës dhe është shoqëruar me ndërhyrjen e menjëhershme të policisë, e cila po heton për të sqaruar plotësisht motivet e konfliktit dhe rrethanat e incidentit.

Ndaj avokatit Redi Llanaj është nisur procedura ligjore për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”.