Binaj refuzoi t’i bashkohet, Berisha: “E përshëndes plotësisht! Është kandidat i pavarur”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për herë të parë pas deklaratës së kandidatit të pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, i cili është mbështetur nga opozita, por ka bërë të ditur se gjatë fushatës nuk do të dalë publikisht përkrah kryetarëve të partive politike.

Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se e mbështet plotësisht këtë qëndrim, duke e cilësuar Binajn si përfaqësues të një modeli të ri komunikimi politik dhe si një figurë që distancohet nga politikanët tradicionalë.

“E përshëndes plotësisht këtë deklaratë! Ka një linjë, një rrymë që vërtet nuk realizojnë dot dallimin mes kandidatit të pavarur të mbështetur nga partitë politike dhe kandidatit jopartiak të propozuar nga partitë politike,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se një kandidat i pavarur nuk ka pse të shfaqet në publik me drejtuesit e partive, por kjo nuk përjashton angazhimin aktiv të forcave politike që e mbështesin gjatë fushatës. “Nëse është i pavarur, nuk ka pse të bëjë fushatë me kryetarët e partive. Por partitë do të angazhohen për fushatën,” tha ai.

Berisha theksoi gjithashtu se reagimet kritike ndaj Binajt vijnë nga “rryma keqdashëse”, të cilat, sipas tij, janë të shqetësuara nga fakti që kandidatura e aktorit ka potencial për të marrë mbështetje të gjerë qytetare.

Në përfundim, kreu i PD-së vlerësoi intervistën e fundit të Florjan Binajt, duke e cilësuar si një shembull të sinqeritetit dhe ndershmërisë në komunikimin me publikun.