Tabloidi britanik The Sun Online ka publikuar një artikull të gjatë dhe tronditës mbi rritjen e dhunës ekstreme të grupeve kriminale shqiptare në Europë dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke krahasuar metodat e tyre me ato të kartelëve meksikanë. Në fokus të shkrimit është përdorimi i torturave makabre, varjeve publike dhe zhdukjes së kundërshtarëve, me qëllim vendosjen e frikës dhe dominimit absolut mbi tregun e drogës.
Shtysa për artikullin erdhi pas gjetjes së trupit të pajetë të shqiptarit Bekim Halilaj, 29 vjeç, i varur pas një tabele rrugore në periferi të Brukselit, ngjarje që ndodhi në fund të shtatorit. Kalimtarët menduan fillimisht se ishte një dekor për Halloween, por shpejt u bë e qartë se bëhej fjalë për një vrasje të vërtetë dhe brutale. Sipas mediave belge, Halilaj dyshohet të jetë ekzekutuar nga rrjeti i tij pas humbjes së një ngarkese të madhe droge, tetë vjet pasi ai ishte dënuar në Britani për trafikun e 4 milionë paundëve kokainë në Southampton.
Në shkrimin e The Sun, përmendet edhe rasti i një shqiptari të rrëmbyer dhe torturuar për katër ditë në Londrën Lindore në vitin 2022. Atij i ishin shkulur thonjtë nga dora, ndërsa grupi kërkonte 400 mijë paund nga familjarët për lirimin e tij. Policia ndërhyri dhe arrestoi disa persona, por çështja u mbyll për mungesë provash. Vetëm një i arrestuar, Nekid Arapi, u dënua për posedim kanabisi.
Profesori i kriminologjisë në Tiranë, Ervin Karamuço, ka deklaruar për The Sun se bandat shqiptare kanë adoptuar metoda të dhunshme dhe të rafinuara nga kartelët meksikanë, duke përdorur “instruktorë” të vrasjeve me pagesë si konsulentë për trajnime në tortura dhe zhdukje pa gjurmë. Ai shton se të ashtuquajturit “ambasadorë” të grupeve kriminale shqiptare udhëtojnë drejt Amerikës Latine për të bërë marrëveshje direkte me kartelët dhe për të importuar taktikat e tyre brutale në Europë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, dhuna mes bandave shqiptare po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Shkrimi përmend zhdukjen e pazgjidhur të Aron Kato, 28 vjeç, në vitin 2019, i cili dyshohet të jetë rrëmbyer dhe vrarë nga një grup shqiptar pas një konflikti për kanabis. Në TikTok janë publikuar edhe video të dhunshme, që aludojnë për akte hakmarrjeje mes grupeve rivale.
Artikulli i The Sun ngre alarmin për një nivel të ri dhune që po përhapet në rrugët e Britanisë, ku grupet shqiptare, tashmë të mirëstrukturuara dhe të sofistikuara, përdorin terrorin si mjet kryesor kontrolli në tregtinë e paligjshme të drogës.