Përfundon lufta në Gaza: Armëpushim i përhershëm, me garanci nga SHBA

Khalil al-Hayya, një nga figurat më të larta të Hamasit, ka shpallur sot zyrtarisht fundin e luftës në Gaza dhe vendosjen e një armëpushimi të përhershëm. Deklarata e tij vjen vetëm disa javë pasi ai i mbijetoi një sulmi ajror në Katar, ku aktualisht ndodhet në mërgim politik.

Në fjalimin e mbajtur, ai theksoi se nga sot hyrja dhe dalja përmes kalimit kufitar të Rafah-ut drejt Egjiptit do të jetë e hapur në të dyja drejtimet, duke lehtësuar lëvizjen e civilëve dhe ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Al-Hayya bëri të ditur gjithashtu se marrëveshja e arritur përfshin lirimin nga Izraeli të të gjitha grave dhe fëmijëve palestinezë të mbajtur në burgje, një hap që konsiderohet thelbësor në përpjekjet për ndërtimin e besimit mes palëve.

“Hamasi ka marrë garanci të qarta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërmjetësit arabë dhe Turqia se lufta në Gaza ka përfunduar njëherë e mirë,” deklaroi al-Hayya.

Megjithatë, tonet më të ashpra nuk munguan. Zyrtari tjetër i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, duke folur nga Egjipti, u shpreh se “asnjë palestinez nuk e pranon çarmatimin” dhe shtoi se “populli palestinez ka nevojë për armë dhe për rezistencë”, duke nënvizuar se edhe pas marrëveshjes, pozicioni strategjik i Hamasit nuk ndryshon në thelb.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar pritet të reagojë ndaj zhvillimeve të fundit, mbetet për t’u parë nëse armëpushimi do të mbahet në praktikë dhe nëse ky do të jetë vërtet fundi i një lufte që ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhytur Gazën në krizë të thellë humanitare.