Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka deklaruar qartë se do të vijojë garën si kandidat i pavarur, duke u distancuar nga çdo lidhje formale me partitë opozitare, përfshirë Sali Berishën. Në një deklaratë për emisionin Top Story, Binaj u shpreh se nuk ka hyrë në garë për të përfaqësuar opozitën, por qytetarët e Tiranës, pa dallim bindjesh politike.
“Unë nuk kam hyrë në garë për të përfaqësuar opozitën, por qytetarët e Tiranës. Nuk i ndaj sipas ngjyrave të partive – nëse ajri është i pastër, është i pastër për të gjithë; nëse ka trafik, ka për të gjithë,” tha Binaj.
Ai tha se, edhe pas shpalljes së kandidaturës, nuk ka pasur asnjë kontakt me Berishën apo ndonjë tjetër nga opozita. Sipas tij, i pari që e kontaktoi pas publikimit të emrit si kandidat ishte Adriatik Lapaj, që sipas Binajt e mori në telefon me shaka duke i thënë fillimisht “shiko mos është kamera e fshehtë”, por më pas i shprehu mbështetjen.
Reagimi i Sali Berishës për të mbështetur kandidaturën e tij erdhi më vonë, por Binaj sqaroi se nuk ka komunikuar me të dhe se nuk do të dalë me të në fushatë. “Nuk do të dal me asnjë kryetar partie në fushatë, as me Berishën,” theksoi ai, duke shtuar se ka kërkuar nga mbështetësit vetëm grupe pune, jo përfaqësues politikë.
Florjan Binaj ka bërë të ditur gjithashtu se do të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që emri i tij në fletën e votimit të jetë i shënuar si kandidat i pavarur, duke theksuar se synimi i tij nuk është përfaqësimi i ndonjë partie, por i qytetarëve.