Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe ka ngritur akuza të rënda ndaj autorit të dyshuar Elvis Shkambi dhe xhaxhait të tij, Gjon Shkambi. Të dy rrezikojnë dënimin maksimal – burgim të përjetshëm – për akuzën penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, ndërkohë që ndaj tyre rëndojnë edhe akuzat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë” ndaj Ragip dhe Ervis Kurtajt, si dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”.
Sipas dosjes hetimore, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi menjëherë pasi kishte shpallur vendimin në një çështje gjyqësore ku palë ishin familja Kurtaj dhe një përmbarues. Sapo u shpall vendimi, Shkambi nxori një armë nga brezi dhe qëlloi drejt gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, ai hapi zjarr edhe ndaj palës kundërshtare në proces, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët u plagosën teksa po përpiqeshin të largoheshin me urgjencë nga salla.
Autori u kap menjëherë në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Nr.1 në Tiranë, në oborrin e gjykatës, pasi paraprakisht kishte dorëzuar armën tek punonjësi i sigurisë së institucionit.
Prokuroria ka ngritur të njëjtën akuzë edhe për Gjon Shkambin, ndonëse ky i fundit nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim të drejtpërdrejtë në vendngjarje. Hetuesit dyshojnë se ai ka pasur dijeni për planin kriminal të nipit të tij dhe nuk ka ndërhyrë për ta parandaluar. Sipas prokurorisë, qëndrimi i tij i qetë gjatë ngjarjes, deklaratat publike, sjellja në seancat e mëparshme si dhe kontaktet me persona të tjerë për çështjen e pronësisë, përforcojnë dyshimet për përfshirje indirekte dhe nxitje të veprimeve kriminale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se punonjësi i sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, ka dështuar të zbatojë procedurat bazë të sigurisë. Kamera e sigurisë ka filmuar momentin kur Elvis dhe Gjon Shkambi kaluan përmes detektorit metalik, i cili dha sinjal alarmi. Sipas prokurorisë, Koxhaj qëndroi i ulur në karrige dhe nuk kreu kontroll fizik, duke lejuar që arma të futej brenda gjykatës pa asnjë pengesë. Po ashtu, nuk është bërë as regjistrimi i tyre në librin e protokollit, një tjetër shkelje e rëndë e protokollit të sigurisë.
Për këto veprime (ose mungesën e tyre), Koxhaj është vënë nën hetim për “shpërdorim detyre”.
Të tre të arrestuarit – Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj – pritet të dalin mëngjesin e së enjtes para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokuroria pritet të kërkojë “arrest me burg” për të gjithë të pandehurit, ndërkohë që hetimet për ngjarjen që tronditi sistemin e drejtësisë vijojnë në disa pista.