Zhvarrosja e trupit të Denis Ruçit, djali i Pano Ruçit, i cili humbi jetën në tragjedinë hekurudhore të Tempes, është shtyrë nga autoritetet greke, vetëm një ditë përpara se të kryhej procesi.
Sipas burimeve zyrtare nga policia greke, shtyrja u bë me kërkesë të familjarëve, të cilët kërkojnë të kenë një përfaqësues ligjor të përzgjedhur prej tyre gjatë zhvarrosjes dhe procedurave të mëvonshme laboratorike.
Mediat greke raportojnë se policia do t’i përcjellë prokurorisë një dokument të ri, ku do të përcaktohen me saktësi kërkesat e familjes për ekzaminimet që duan të kryhen mbi trupin e të ndjerit. Paralelisht, familjes do t’i kërkohet të emërojë zyrtarisht një këshilltar teknik – ekspert ligjor – që do të marrë pjesë në të gjithë procesin, nga zhvarrosja deri te analizat toksikologjike dhe mjeko-ligjore.
Aktualisht, familja Ruçi është në pritje të një njoftimi të ri nga autoritetet për të mësuar se kur do të vendoset data e re për zhvarrosjen, një kërkesë që u bë kryefjalë e protestës së Pano Ruçit përmes një greve urie që zgjati 23 ditë.