Në një hap që afron edhe më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian, në të gjitha 61 bashkitë e vendit do të ofrohet akses falas në internet në hapësirat publike. Falë financimit të BE-së dhe mbështetjes së Qeverisë Gjermane, qytetarët dhe vizitorët do të kenë së shpejti mundësi të lidhen me Wi-Fi pa pagesë në sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe ambiente kulturore.
Projekti WiFi4WB, pjesë e programit EU4Digital, financohet me 15 milionë euro nga BE dhe 1.5 milionë euro nga qeveria gjermane, dhe synon krijimin e deri në 500 pika publike Wi-Fi në të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në pranverën e ardhshme.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e cilësoi këtë si më shumë se një nismë teknologjike:
“Ky projekt ka të bëjë me fuqizimin e komuniteteve, rritjen e mundësive dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Tregun Unik Digjital të BE-së.”
Edhe ambasadori gjerman Karl Bergner theksoi rëndësinë e dixhitalizimit për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.