Pas katër vitesh në drejtim të Policisë Rrugore, Altin Qato pritet të largohet nga detyra në kuadër të një riorganizimi të brendshëm në strukturat e Policisë së Shtetit. Në vend të tij, burime zyrtare bëjnë me dije se do të emërohet Perlat Vatoci, aktualisht këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Vatoci nuk është emër i panjohur për strukturat e rendit, pasi ka mbajtur më herët pozicione drejtuese si drejtor i Policisë në Kukës dhe Gjirokastër, si dhe ka një karrierë të gjatë në radhët e uniformave blu.
Ndryshimet pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim dhe janë pjesë e një reforme për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e kontrollit në sektorët operativë dhe të sigurisë rrugore.
Ndërkohë, në nivelet rajonale janë bërë disa emërime të tjera:
Arbër Zemani, më parë shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Tiranë, është ngritur në detyrë dhe do të drejtojë Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Shkodër.
Adrit Elmazi, ish-drejtor i Kufirit në Shkodër, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të ushtrojë funksionin e specialistit në Drejtorinë Strategjike.
Këto lëvizje vijnë në një moment kur institucioni është i fokusuar në forcimin e kontrollit të territorit dhe rritjen e performancës në terren.