Spektri opozitar në vend është unifikuar përballë garës për Bashkinë e Tiranës. Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj tashmë ka marrë mbështetjen e të gjitha forcave kryesore të opozitës, përfshirë Partinë Demokratike, aleatët e saj, nismën “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, “Nismën Thurje” të Endri Shabanit dhe së fundmi edhe partinë “Mundësia” të Agron Shehajt.
Në një intervistë për Top Channel, Agron Shehaj deklaroi se, pavarësisht zhgënjimit për mënyrën se si Partia Demokratike shpalli kandidaturën pa u konsultuar me aleatët, ai dhe partia që drejton do ta mbështesin Binajn.
“Hapëm një negociatë me PD dhe opozitën, kërkuam që kandidati të ishte jashtë politikës. Jemi të zhgënjyer nga mënyra si PD u soll me këto negociata duke shpallur emrin pa u konsultuar, por ne do ta mbështesim politikisht sepse nuk mund të dalim kundër parimit tonë. Ai është jashtë politikës, i përmbush kriteret dhe nuk mund të dalim jashtë kriterit tonë pavarësisht sjelljes së PD,” u shpreh Shehaj.
Kështu, Florjan Binaj konsolidohet si kandidati i përbashkët i opozitës për garën e 9 nëntorit në Bashkinë e Tiranës, duke shënuar një moment të rrallë uniteti mes forcave opozitare pas një periudhe të gjatë përçarjesh politike.