Gazetarja sportive dhe moderatorja e njohur Albana Bejko ka rrëfyer për herë të parë historinë tronditëse të përndjekjes nga mjeku psikiatër nga Kosova, Behar Kamberi, i cili u arrestua disa javë më parë nga policia, ndërsa tentonte të takohej me moderatoren, duke menduar se ajo kishte pranuar një ftesë për kafe.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Bejko tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes, nga takimi i parë në një restorant, deri tek mesazhet deluzionale dhe momentet kur u ndje realisht e rrezikuar.
“Një moment i frikshëm ishte kur në ambientet ku unë punoj, personi u afrua më kërkoi që të uleshim për kafe, në atë moment reagimi ishte instiktiv, i trembur, i thashë ‘të lutem mu hiq qafe’. Kaluan 4 djem në atë moment, dhe kjo e trembi pak. Periudha intensive e përndjekjes ka qenë qershor i vitit të shkuar deri para pak ditësh, dhe unë më pas telefonova policinë”, tha ajo.
Për herë të parë, gazetarja ka shfaqur edhe disa nga mesazhet që Kamberi i ka dërguar në mënyrë të vazhdueshme për më shumë se një vit. Mesazhe të ngarkuara emocionalisht dhe me përmbajtje të qartë përndjekëse:
“Përshëndetje Albanë nga Behari. Unë jam burrë ideal për ty. Jam doktor intelektual, gentleman, i bukur dhe i sinqertë. Ne të dy gjithnjë kemi komunikuar dhe do të komunikojmë mirë dhe shëndetshëm. Kam gjendje të mirë financiare dhe shëtis botën.
Këto janë tiparet që përmbush kështu që mos hezito më. Por eja martohemi dhe jetojmë së bashku në një banesë këtu në Prishtinë por edhe në Tiranë. Ku ti përsëris krejt gjërat ke me i pas dhe me i çu në vend, asgjë s’ka për të munguar.
Ti do vazhdosh të punosh si tani. Albanë më merr në konsideratë kur unë jam mashkull ideal që të bëj propozim për martesë. Pres reflektim nga ti.”
Në një tjetër mesazh, ai vijonte:
“Përshëndetje. Tashmë pasi që ne po njihemi që një kohë të gjatë dhe kështu kemi biseduar live kohë pas kohe, kemi bërë foto, kemi biseduar në telefon dhe të kam shkruar në email. Unë kam një ftesë për kafe me ty. Me qëllim që të vazhdojmë komunikimin dhe të diskutojmë për së rrafshi në tavolinë.
Pasi që edhe ti ma ke konfirmuar kërkesën që na dy të pimë kafe së bashku. Me rëndësi është që edhe ti me qenë e kënaqur dhe me ndje veten tande mirë. Kur të konvenon dhe kur është mirë për ju. Jam në pritje, më lajmëro. Behari, Albana, më të mirat.”
Dhe në një tjetër mesazh të dërguar pas një takimi të shkurtër me moderatoren, Kamberi shkruante:
“Përshëndetje Albana nga Behari. Është kënaqësi që u takova mbrëmë dhe u njoha për së afërmi me ty. Nderimi im është që bëra foto me ty. Shumë jam i lumtur që fola me ty dhe të çmoj shumë, moj vajza më e bukur e Shqipërisë. Dhe shpresoj që së shpejti të shihemi dhe të pimë edhe nga një kafe.
Të ftoj me ardh në Prishtinë. Ti gjithmonë më ke pëlqyer si person dhe besoj që do të kemi të mira. Me respekt nga Behari. Të dua shumë Albana.”
Albana Bejko sqaroi gjithashtu se kontakti i parë ndodhi gjatë një fotoje që ai i kërkoi në një ambient publik, por më pas situata mori përmasa të frikshme.
“Unë kam qenë në një restorant. Më ka kërkuar të bëjë një foto me mua, e kam bërë me shumë dashamirësi. Që nga ai moment pashë një lloj tendence për t’u afruar, por ia lash faktit që jemi personazhe publike, janë gjëra që ndodhin. Kam marrë mesazhe edhe në numrin tim personal. Kam marrë telefonata, duke mos e ditur me kë kam të bëj, i kam kërkuar të më lërë të qetë sepse nuk kam pasur asnjë interes.
Kam pasur mesazhe obsesive, deluzionale, që sipas tij pretendohet se pas fotos e kishte projektuar jetën. Që prej 2020, kam marrë mesazhe nga ky person. Por takimi për së afërmi mendoj që e kanë bërë të ketë më pas reagime.
Nuk kam marrë asnjë dhuratë nga ai, ndryshe nga sa është folur, se u fol për një parfum. Duke parë që qëllimi është i sëmurë, nuk do pranoja asnjë dhuratë. Kam qenë e frikësuar, kam ndryshuar stilin e jetesës.
Kam pasur debat në prokurori për këtë pjesë. Kam marrë mesazhe, që janë agresive, jo nga përmbajtja, por kur them jo 1,2,3 herë, e ai vijonte. I kam thënë që nëse më bezdis do të të denoncoj në polici”, deklaroi ajo.