Pas 23 ditësh grevë urie, shqiptari Pano Ruçi ka vendosur të ndërpresë protestën e tij, pasi autoritetet pranuan të plotësojnë kërkesat e tij kryesore, mes të cilave zhvarrosja e trupit të djalit të tij, Denis Ruçi – viktimë në tragjedinë hekurudhore të Tempes – si dhe kryerja e ekzaminimeve të specializuara.
Në një deklaratë për mediat, Ruçi theksoi se përjetoi ditë të vështira fizike dhe emocionale, por se mbështetja e qytetarëve dhe vendosmëria për të zbardhur të vërtetën i dhanë forcën të qëndrojë.
“Do të jem këtu derisa të marr përgjigje për çdo kërkesë. Kjo luftë nuk ka përfunduar,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se do të vijojë presioni ndaj autoriteteve derisa të ketë konfirmim zyrtar për zbatimin e të gjitha procedurave të kërkuara.
Avokatja e tij, Zoi Konstantopulu, nga sheshi Sintagma, u shpreh se “sot drita mposhti errësirën”, duke e cilësuar përfundimin e grevës si një fitore morale dhe ligjore ndaj përpjekjeve për të fshehur të vërtetën mbi tragjedinë.
Sipas saj, rikthimi në fokus i dosjes voluminoze me 3,000 faqe që dokumenton neglizhencat institucionale është prova më e qartë se këmbëngulja e Pano Ruçit nuk ishte e kotë.