Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka tronditur sot opinionin publik shqiptar. Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit, teksa ndodhej në krye të detyrës në Gjykatën e Apelit.
Ngjarja dramatike, e ndodhur në ambientet e “tempullit të drejtësisë”, ka shkaktuar tronditje të thellë dhe reagime të shumta në mbarë vendin, duke ngritur pyetje serioze mbi sigurinë dhe autoritetin e institucioneve gjyqësore.
Astrit Kalaja lindi në Shkodër, 62 vite më parë. Ai ishte një figurë e njohur dhe e respektuar në sistemin gjyqësor shqiptar, me një karrierë disa dekadëshe në shërbim të drejtësisë.
Ai shërbente si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku kishte në dorë çështje me ndjeshmëri të lartë publike e ekonomike.
Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se gjyqtari Kalaja ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, si dhe ishte bërë gjysh vetëm pak kohë më parë .
Kalaja kishte kaluar me sukses procesin e Vettingut, duke vijuar ushtrimin e detyrës si pjesë e trupës gjyqësore që i mbijetoi filtrave të rreptë të Reformës në Drejtësi, një dëshmi e pastërtisë profesionale dhe integritetit të tij në sistem.
Vrasja e gjyqtarit të nderuar ka hapur një debat të ri për masat e sigurisë në gjykata, si dhe për mbrojtjen e funksionarëve të drejtësisë nga aktet e dhunës që rrezikojnë themelet e shtetit ligjor.