Policia ka ndaluar një punonjës sigurie në Gjykatën e Apelit, i cili ishte përgjegjës për kontrollin me skaner në hyrje të institucionit, pas ngjarjes së rëndë të pasdites së sotme, ku humbi jetën gjykatësi Astrit Kalaja.
Dyshime të forta janë ngritur mbi mënyrën se si Elvis Shkambi, autori i ngjarjes, arriti të hynte në sallën e gjyqit i armatosur.
Ai qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore, ndërsa plagosi edhe dy persona të tjerë – Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir – të cilët ishin palë në procesin gjyqësor me autorin.
Të plagosurit ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.
I plagosuri 65-vjeçar Rakip Kurtaj, bëhet me dijë se ka marrë goditje me plumbë në pjesën e kraharorit.
Sipas informacioneve paraprake për News24, i biri 45 vjeç, Ervis Kurtaj, ka marrë goditje në pjesën e krahut.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për të identifikuar çdo lëshim në protokollet e sigurisë së gjykatës.