Një atentat mafioz me tipare ekzekutimi është regjistruar një ditë më parë në qytetin Medellín të Kolumbisë, ku një shtetas shqiptar, 44 vjeç, me dokumente ekuadoriane, u qëllua për vdekje në një sulm të dyshuar me pagesë.
Viktima është identifikuar si Kristjan Tushi, i njohur edhe me emrin Artur Tushi, nga fshati Raboshtë i Lezhës, i njohur ndryshe me pseudonimin ‘Qoti’.
Ai u qëllua për vdekje pranë qendrës tregtare Santa Fe, në zonën El Poblado, një nga lagjet më të njohura të qytetit.
Sipas dëshmitarëve, autori – një shtetas venezuelian – iu afrua viktimës me motoçikletë, e pyeti për emrin, dhe pasi mori konfirmimin, hapi zjarr ndaj tij.
“Ai i kërkoi vetëm emrin e personit dhe, kur e konfirmoi se ishte ai e qëlloi për vdekje ”, tha një dëshmitar.
Në të njëjtin ngjarje, një grua 77-vjeçare mbeti e plagosur. Nuk është ende e qartë nëse e moshuara ishte me viktimën apo kalimtare e rastit.
Autori është arrestuar nga policia kolumbiane pak pas ngjarjes dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa po hetohen motivet e plota të atentatit.
Paraprakisht dyshohet se vrasja është rezultat i një hakmarrjeje ose larjeje hesapesh brenda rrjeteve të krimit të organizuar.