Policia e Tiranës ka publikuar detajet e para lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi sot Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja.
Sipas burimeve zyrtare, autori i dyshuar i krimit është 30-vjeçari Elvis Shkëmbi, djali i Gjon Shkëmbit, i cili ishte palë në seancën gjyqësore të ditës së sotme për një çështje pronësie që po shqyrtohej nga gjyqtari Kalaja.
Nga të shtënat me armë janë plagosur gjithashtu Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ndodheshin në sallë gjatë momentit të ngjarjes. Të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Pas arrestimit, Elvis Shkëmbi ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar para hetuesve:
“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia.”
Babai i autorit, Gjon Shkambi, pak vite më parë në një reagim për mediat kishte deklaruar se është pronari i ish-shkollës së rezervave në Shkodër.
Ai thotë se është pronari i godinave ku jetonin 31 familje dhe pronat i ka me dokumentacion të rregullt që i ka fituar përmes proceseve gjyqësore.
Shkëmbi kërkonte nga policia dhe përmbarimi, lirimin e pronave të tij.
Në vitin 1992, 31 familjet me vendim të bashkisë Shkodër u vendosën në godinën e ish-shkollës së rezervave të ndërtimit.
Policia ka sekuestruar armën e krimit dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet që Prokuroria e Tiranës të ngrejë akuzën për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje ndaj autorit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik dhe në sistemin e drejtësisë, duke rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë në ambientet gjyqësore.