
Pas muajsh të gjatë gjyqi dhe titujsh në faqet e para të mediave botërore, Sean “Diddy” Combs, një nga figurat më të fuqishme dhe më kontradiktore të hip-hop-it amerikan, u dënua dje me 4 vite e 2 muaj burg federal. Vendimi historik vjen pas akuzave për shfrytëzim të personave për qëllime prostitucioni, në bazë të ligjit federal “Mann Act”.
Gjykata i njohu reperit dhe biznesmenit një vit paraburgim që ai kishte shlyer tashmë, por krahas burgut, ai do të paguajë edhe një gjobë prej 500 mijë dollarësh dhe do të qëndrojë nën mbikëqyrje për 5 vite pas lirimit.
Ndërkohë që shumëkush e shihte si një gjyq që mund t’i rrëzonte përgjithmonë karrierën, Combs u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe krimit të organizuar. Megjithatë, rrëfimet e viktimave dhe provat e paraqitura në sallën e gjyqit tronditën publikun dhe krijuan imazhin e një bote luksi të errët, ku festat madhështore fshihnin abuzime dhe manipulime.
Në fjalën e tij para gjykatës, producenti i famshëm u përpoq të shfaqej i penduar: “Ajo që bëra ishte e neveritshme, e turpshme dhe e sëmurë. Jam i turpëruar nga vetja,” tha ai, ndërsa familjarë dhe ish-bashkëpunëtorë e dëgjonin në heshtje.
Ky dënim shënon një kthesë dramatike në jetën e një artisti që dikur quhej “mbreti i hip-hop-it” dhe që ndërtoi një perandori muzikore, biznesesh e pasurie të palëkundshme. Sot, emri i tij lidhet më shumë me skandalin dhe gjykatat sesa me muzikën dhe suksesin.