Është ndarë nga jeta mbrëmë aktori italian i njohur Remo Girone, i famshëm për rolin e Tano Cariddi-t në serialin televiziv “La Piovra”.
Ai ishte 76 vjeç dhe ndërroi jetë papritur në banesën e tij në Monaco, ku jetonte me bashkëshorten Vittoria.
Girone lindi më 1 dhjetor 1948 në Asmara, Eritrea, nga prindër italianë që kishin emigruar aty. Në moshë 13 vjeç ai u rikthye në Romë dhe nisi të luajë në teatro të vegjël, ku talenti i tij filloi të spikaste. Megjithëse u përkushtua thellë në skenë, fama e tij arriti kulmin përmes ekranit televiziv. Në vitin 1987, ai u bë i njohur në rolin e kryebosit Gaetano “Tano” Cariddi në “La Piovra”, një personazh kompleks dhe antagonist që pati ndikim të madh tek publiku italian dhe shqiptar.
Përveç serialit që e bëri të njohur, Girone interpretoi në shumë produksione televizive e filma, duke përfshirë “Lo Scialo”, “Una Vittoria”, “Dalla notte all’alba”, “Fantaghirò 5”, “Il Grande Torino” dhe “Diritto di difesa”. Në kinematografi spikasin rolet e tij si protagonisti në “Il gabbiano” të Marco Bellocchio dhe si Enzo Ferrari në “Le Mans – la grande sfida”.
Lajmi për ndarjen e tij u bë i ditur fillimisht në platformën italiane Sorrisi e Canzoni TV Online. Remo Girone do të mbahet mend si një nga ikonat e ekranit dhe skenës italiane, me një karrierë që arriti të kalonte breza dhe kufij.