Mediat belge për vdekjen horror të Bekim Halilaj: “Dyshohet se humbi një ngarkesë kokaine”/ Vëllai i viktimës: “Ishte në depresion”

Një zhvillim i ri ka bërë bujë pas zbulimit të trupit të Bekim Halilajt, 28-vjeçarit shqiptar që u gjend i varur pranë unazës rrugore të Brukselit në zonën e Anderlechtit. Autoritetet belge, që në fillim nuk përjashtonin as vetëvrasjen e as ekzekutimin, tani po hetojnë intensivisht pistën që Halilaj të jetë sulmuar për shkak të humbjes së një dërgese droge.

RTL Info shkruan se një nga pistat kryesore të hetimit është mundësia që ai të jetë ekzekutuar si ndëshkim për humbjen e një dërgese të madhe kokaine. Megjithatë, autoritetet nuk e kanë përjashtuar as pistën e vetëvrasjes.

Trupi i Halilajt u gjet të dielën e kaluar, i varur në pjesën e pasme të një tabele rrugore, shumë pranë një prej nyjeve kryesore të trafikut në Bruksel. Pas ngjarjes, Zyra e Prokurorit të Brukselit hapi një hetim dhe u krye autopsia mbi trupin, por nuk janë bërë ende publike të dhëna shtesë për shkakun zyrtar të vdekjes.

Sipas gazetave belge Sudinfo dhe Het Nieuwsblad, Bekim Halilaj ishte dënuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2017 me 7 vite burg, për trafik kokaine. Ai ishte pjesë e një grupi kriminal shqiptar që vepronte në Southampton, Hampshire, dhe që trafikonte drogë me vlerë mbi 4 milionë paund. Gjatë një hetimi nëntëmujor në atë kohë, autoritetet britanike sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine dhe para të gatshme.

Pas kryerjes së dënimit, Halilaj ishte deportuar në Shqipëri, por më pas ishte vendosur në Belgjikë.

Burime të RTL citojnë se:
“Ai është rrëmbyer, ekzekutuar dhe varur si një paralajmërim pas humbjes së një dërgese të madhe droge, me mesazhin e qartë: ‘Kjo është ajo që ndodh nëse përpiqeni të na dëmtoni.’”

Sakaq në një intervistë për Top News, vëllai i viktimës ka bërë të ditur se Bekimi mund të ketë qenë në depresion, çka e ka shtyrë drejt vetëvrasjes. Ai shprehet kategorikisht se nuk ka asnjë vërtetësi në lajmet pë lidhjet me trafikun e drogës dhe se po bashkëpunon me policinë belge për zbardhejen e ngjarjes.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Top News (@topnews_al)

Ndërkohë, autoritetet belge vijojnë hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të vdekjes. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare mbi ndonjë autor apo person të dyshuar në lidhje me rastin.