“Jam keq o babë, më kanë gjujt”/ Babai i shoferit të Arjan Ndojës përlotet në gjykatë: “Ma ktheni dot djalin?”

Babai i Andi Malokut, të riut që humbi jetën pas atentatit të 1 nëntorit 2019 në zonën e Shkozetit, ka dëshmuar sot para Gjykatës së Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (GJKKO). Genc Maloku ka sqaruar para togave të zeza rrethanat që lidhen me djalin e tij, duke deklaruar se ai nuk kishte pasur konflikte dhe nuk ishte objektivi i atentatit.

“Jam keq o babë, më kanë gjujt”, tha ai i përlotur, duke cituar telefonatën e fundit që kishte marrë nga i biri menjëherë pas plagosjes. Maloku sqaroi se Andi punonte prej pak më shumë se një muaji si shofer jozyrtar i prokurorit Arjan Ndoja dhe se punësimi kishte ardhur përmes një të afërmi.

“Nuk ishte shofer zyrtar. Një muaj e ca shërbeu. As rrogën e dytë s’e mori.”

Ai mohoi që djali të kishte ndonjë lidhje me ndonjë grup kriminal apo kontakte me persona të dyshimtë:
“Nuk pinte duhan, as alkool. Ishte fëmijë i rregullt. Shoqërohej me moshatarë të tij. Asnjë shqetësim s’më ka paraqitur.”

Në vijim të dëshmisë së tij, Genc Maloku përmendi edhe emra konkretë, duke deklaruar:
“Rrumi ma ka thënë i pari, pasi doli nga spitali, se e ka porositur Plarent Dervishaj. Nuk kishte motiv me djalin tim. S’kishte pse qëllohej. Dihet kush ishte motivi.”

Në seancë nuk munguan edhe përplasjet verbale midis tij dhe të pandehurit Plarent Dervishaj. Maloku kërkoi drejtësi, duke theksuar se djali i tij nuk ka qenë shënjestra e atentatit.

“Ma kthen ti dot djalin? Ma kthen?! Normal që nuk ka qenë djali im objektivi.”

Atentati ndodhi më 1 nëntor 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, kur automjeti ku ndodheshin prokurori Arjan Ndoja, Andi Maloku dhe Landi Muharremi (i njohur si Rrumi) u qëllua me armë automatike nga një tjetër mjet në lëvizje. Nga atentati, 23-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin e Traumës.