Identifikohet trupi i pajetë në Lezhë/ Ka plagë arme zjarri dhe shenja dhune. E bija njoftoi zhdukjen

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Lezhë, ku një 65-vjeçar është gjetur i pajetë pranë bregut të lumit Mat. Viktima është identifikuar si Gjergj Tusha, ndërsa nga të dhënat paraprake, ai dyshohet të jetë dhunuar dhe qëlluar me armë zjarri.

Sipas Policisë së Lezhës, rreth orës 14:40, vajza e viktimës ka njoftuar sallën operative se kishte humbur kontaktet me të atin. Pas disa orësh kërkimesh nga forcat policore, rreth orës 17:30, trupi i pajetë i 65-vjeçarit u gjet në breg të lumit, në zonën e Pllanës.

Nga këqyrja paraprake e trupit, hetuesit konstatuan shenja dhune dhe një plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.

“Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T., 65 vjeç. Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri”, njofton policia.

Aktualisht, një grup i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të dyshuar. Në terren janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Njësisë Shkodër, të cilët po kontrollojnë zonën për të bërë të mundur kapjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje kriminale.