Vrasje me pagesë dhe tjetërsim pronash në Gjirin e Lalzit: SPAK godet bandat mafioze të Avdulajve dhe Rrumit të Shijakut. Në pranga vëllai i deputetit

SPAK ka goditur një grup kriminal që vepronte në zonën e Gjirit të Lalzit, i përfshirë si në vrasje me pagesë, ashtu edhe në tjetërsimin e pronave përmes falsifikimit të dokumenteve. Hetimi, i ndarë në dy çështje të veçanta, lidhet me aktivitetin e dy grupeve të njohura kriminale: atë të Avdylajve dhe atë të Aleksandër Lahos, të njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Sipas dosjes hetimore, disa prej personazheve të dyshuar rezultojnë të përfshirë në të dyja çështjet. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lëshuar nëntë masa sigurie, prej të cilave pesë janë ekzekutuar, ndërsa katër persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Prokurorët e dosjes janë Altin Dumani dhe Adnan Xholi.

Të arrestuarit janë:

  • Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos
  • Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume
  • Vlash Brahja
  • Astrit Avdylaj, i njohur edhe si Astrit Balliu (aktualisht në burg si pjesë e operacionit “Revanshi”)

Gjithashtu, për Edlira Avdylajn është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë vendit”, e cila është ekzekutuar.

Në kërkim vijojnë të jenë:

  • Elidon Avdylaj, i njohur si Aldo Abdylaj
  • Aleksandër Laho (“Rrumi i Shijakut”)
  • A.B. dhe A.D.

Grupi kriminal dyshohet për dy episode kryesore: një vrasje me pagesë dhe skema të tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit përmes dokumenteve të falsifikuara. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar 11 pasuri me sipërfaqe totale prej 254.300 m² në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.