U gjet i varur në tabelë/ Identifikohet 29-vjeçari shqiptar i vrarë në Belgjikë, zbulohen lidhjet me krimin

Është zbuluar identiteti i të riut shqiptar që u gjet më 28 shtator i varur pas një tabele sinjalizimi rrugor pranë qendrës tregtare “Westland Shopping” në Bruksel. Viktima është identifikuar si 29-vjeçari Bekim Halilaj, me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit.

Pamjet nga vendngjarja tronditën opinionin publik, pasi trupi i pajetë i Halilajt qëndroi i lidhur me kabllo pas tabelës për disa orë, duke u ngatërruar fillimisht nga kalimtarët me dekorime festive. Vetëm pas mbërritjes së policisë u bë e qartë se bëhej fjalë për një trup të pajetë, të varur në rrethana misterioze.

Autoritetet belge kanë nisur hetimet duke shqyrtuar disa pista, mes tyre edhe atë të krimit të organizuar. Megjithëse pista e vetëvrasjes nuk është përjashtuar, mënyra e vendosjes së trupit ka ngjallur dyshime të forta se bëhet fjalë për një ekzekutim të lidhur me përplasjet e grupeve kriminale që veprojnë në Belgjikë.

Emri i Bekim Halilajt nuk është i panjohur për autoritetet ligjzbatuese në Europë. Në vitin 2017, atëherë 21 vjeç, ai u arrestua në Southampton të Anglisë së bashku me tre shqiptarë të tjerë si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës. Sipas mediave britanike, banda ku bënte pjesë Halilaj kishte shpërndarë mbi 4 milionë paund kokainë të klasit A në qytet.

Në një operacion të policisë britanike në prill 2017, u sekuestrua një furgon me 140 mijë stërlina kokainë të pastër dhe 30 mijë stërlina para cash. Në vijim të hetimeve, Halilaj u arrestua në një apartament ku u gjet drogë në vlerë prej 10 mijë paund. Ai u dënua me 7 vite burg, ndërsa katër anëtarët e tjerë të grupit morën së bashku 25 vite heqje lirie. Pas vuajtjes së dënimit dhe dëbimit nga Britania, Halilaj rezulton se ishte vendosur në Belgjikë.

Paraprakisht, hetuesit belgë po verifikojnë mundësinë që vrasja e tij të jetë e lidhur me trafikun e kokainës dhe konfliktet e brendshme të grupeve kriminale, por deri më tani nuk ka një version përfundimtar. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në ditët në vijim, ndërsa trupi i viktimës pritet të transportohet drejt Shqipërisë.