Kryetari i pezulluar i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka paraqitur një ankim të ri urgjent në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshton dekretin e Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë më 9 nëntor 2025.
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës, Veliaj argumenton se Presidenti ka vepruar në shkelje të Kushtetutës, pasi ka dekretuar zgjedhje në një bashki ku mandati i kryetarit ende nuk ka përfunduar ligjërisht, duke qenë se shkarkimi i tij është pezulluar automatikisht pas ankimimit në Kushtetuese – siç parashikohet në nenin 115 të Kushtetutës.
Veliaj kërkon:
Shfuqizimin e dekretit presidencial nr. 350, datë 1.10.2025, për pjesën që prek Bashkinë Tiranë.
Pezullimin e menjëhershëm të efekteve juridike të këtij dekreti, deri në një vendim përfundimtar të Kushtetueses mbi ligjshmërinë e shkarkimit të tij.
Sipas tij, akti i Presidentit është kundër Kushtetutës, sepse:
Ka parashikuar vakancë në një mandat që është ende në proces shqyrtimi nga Kushtetuesja.
Ka cenur autonominë vendore dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të përfaqësuar nga një kryetar të zgjedhur me votë direkte.
Ka ndërhyrë në mënyrë të parakohshme dhe uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, duke marrë vendime që i takojnë vetëm këtij institucioni.
Veliaj paralajmëron se, nëse nuk ndërhyhet urgjentisht, zgjedhjet e shpallura në Tiranë do të jenë të pavlefshme, do të shkaktojnë dëme institucionale dhe mund të prodhojnë pasoja të pakthyeshme.