Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e sotme pranë shkollës “Azem Hajdari” në Babrru, ku një person është gjetur i pajetë në rrugë, me plagë të shkaktuara nga mjet prerës.
Viktima është identifikuar si Hajdar Ismailgeci, 40 vjeç, banues në zonë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, trupi i pajetë i Ismailgecit është konstatuar rreth orës 20:10, dhe plaga e marrë nga një mjet prerës, dyshohet të jetë shkaku i vdekjes.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije për mediat se autori i dyshuar, menjëherë pas kryerjes së vrasjes, është shfaqur në një lokal të zonës me njolla gjaku në trup. Ai ka qëndruar për disa minuta aty, para se të largohej sërish në drejtim të paditur.
Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që grupi hetimor po heton motivacionin dhe rrethanat e ngjarjes.
Zona është rrethuar dhe kontrollet janë intensifikuar, ndërsa banorët e lagjes janë pyetur për lëvizjet e fundit të viktimës dhe personave të dyshimtë.